Protestë sot kundër paralajmërimit për shtrenjtim të energjisë elektrike
Organizata “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”, në bashkëpunim me “Përpjekja”, kanë paralajmëruar një protestë si reagim ndaj sinjaleve për rritje të tarifave të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit, tubimi do të mbahet sot nga ora 13:00, me pikë grumbullimi pranë objektit të KEDS-it, ndërsa marshimi do të vazhdojë drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Organizatorët thonë se, sipas tyre, faturat e energjisë janë rritur çdo vit që nga viti 2022 dhe paralajmërimi për një rritje tjetër i rëndon edhe më shumë qytetarët. Ata pretendojnë se kërkesat e KEDS-it për shtrenjtim të tarifave janë miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), duke e zhvendosur barrën financiare te konsumatorët.
Në reagim thuhet gjithashtu se rritjet e njëpasnjëshme të çmimit të energjisë kanë ndikuar në rritjen e kostos së jetesës, ndërsa organizatorët kërkojnë që të refuzohet çdo kërkesë për shtrenjtim të tarifave dhe të nisë procesi për kthimin e KEDS-it në pronësi publike.
Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës për të kundërshtuar rritjen e çmimeve të energjisë elektrike.








