Gjykata dënon Sërgjan Lazoviqin me 12 vjet e 6 muaj burg për krime lufte
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Sërgjan Lazoviqin për krime lufte kundër popullsisë civile, duke e dënuar me 12 vjet e 6 muaj burgim. Aktgjykimi u shpall pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor më 3 shkurt 2026.
Vendimi u kumtua nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli, i cili bëri të ditur se i akuzuari është përgjegjës për veprën penale të krimeve të luftës kundër civilëve, të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Sipas aktgjykimit, Lazoviq ka kryer arrestime dhe privime të kundërligjshme nga liria, keqtrajtime fizike dhe psikike, si dhe plaçkitje të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk ishin të përfshirë në konflikt.
Trupi gjykues vlerësoi se i akuzuari ka arrestuar, ndaluar dhe torturuar fizikisht e psikikisht rreth 500 civilë, duke kryer kështu krime të rënda kundër popullsisë civile. Në bazë të këtyre gjetjeve dhe dispozitave ligjore në fuqi, gjykata e dënoi atë me 12 vjet e 6 muaj burgim.








