Ymeri: Kosova importoi rrymë nga Serbia mbi 3.2 milionë euro brenda një viti
Zyrtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka deklaruar se Kosova ka importuar energji elektrike nga Serbia në vlerë prej mbi 3.2 milionë euro gjatë vitit 2025.
Sipas saj, të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se për importin e rrymës janë paguar gjithsej 3,234,127.98 euro, që sipas Ymerit përkthehet në rreth 8,860 euro në ditë të paguara ndaj Serbisë.
Ymeri ka kritikuar ashpër deklaratat e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët, sipas saj, pretendojnë se po e mbrojnë Kosovën nga Serbia. Ajo i ka cilësuar këto deklarime si të pavërteta, duke theksuar se në të njëjtën kohë Kosova ka vazhduar të blejë energji elektrike nga Serbia.
“Ndërkohë që flitet për mbrojtje të Kosovës nga Serbia, realiteti është se i janë paguar miliona euro Serbisë për rrymë”, ka shkruar Ymeri në reagimin e saj, duke shtuar se këto janë fakte të bazuara në të dhëna zyrtare.








