#Lajme

PZAP nis shqyrtimin e 7 ankesave për rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve

Pas përfundimit të afatit ligjor për ankesa, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka bërë të ditur se ka pranuar gjithsej shtatë ankesa që lidhen me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të parakohshme të dhjetorit.

Sipas PZAP-it, pesë nga ankesat janë paraqitur nga subjekte politike, ndërsa dy të tjera nga një kandidat për deputet. Ky institucion ka në dispozicion 96 orë për t’i shqyrtuar të gjitha ankesat e pranuara.

Dy ankesa janë dorëzuar nga kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Bekim Haxhiu. Njëra ka të bëjë me mënyrën e shpërndarjes së ulëseve në Kuvend, ndërsa tjetra lidhet me parregullsi të pretenduara gjatë numërimit të votave me postë.

Ndërkohë, pesë ankesa të tjera vijnë nga subjekte politike që përfaqësojnë komunitetet pakicë. Lidhja e Re Demokratike ka paraqitur dy ankesa, të cilat kanë të bëjnë me pretendime për parregullsi në votim, konkretisht në lidhje me fletëvotimet. Ankesa për parregullsi në procesin e votimit kanë dorëzuar edhe Koalicioni PAI–PDAK–LPB, si dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.

Në anën tjetër, Lista Serbe ka paraqitur ankesë kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili nuk e ka miratuar listën e kandidatëve të saj. Në mbledhjen e fundjavës, gjatë shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër, ndërsa përfaqësuesit e Partisë Demokratike abstenuan.

Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se përplasjet politike janë të zakonshme, por se mbetet për t’u adresuar mënyra e veprimit në procese emergjente siç janë zgjedhjet. Sipas tij, situata nuk duhet as dramatizuar e as minimizuar, pasi bëhet fjalë për beteja politike që subjektet i zhvillojnë për qëllimet e tyre.

Nga Vetëvendosje është folur për arsyet e votimit kundër, ndërsa përfaqësuesit e PDK-së që abstenuan nuk kanë dhënë deklarata.

Edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar, duke theksuar se po i monitoron nga afër zhvillimet pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja. OSBE-ja ka nënvizuar rëndësinë e respektimit të plotë të standardeve ndërkombëtare zgjedhore, veçanërisht sa i përket publikimit transparent dhe gjithëpërfshirës të rezultateve, me qëllim garantimin e sigurisë juridike dhe trajtimit të barabartë për të gjithë garuesit zgjedhorë.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *