#Lajme

Nënkoloneli Faton Pllana vlerëson Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim dhe qytetarët për bashkëpunim të suksesshëm

Drejtori Rajonal i Policisë, nënkolonel Faton Pllana, ka ndarë letra mirënjohjeje për qytetarin B. Osmani dhe për Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, për kontributin dhe reagimin e shpejtë në lokalizimin e një personi të zhdukur.

Sipas Policisë, më 23 janar 2026, falë informatës së saktë dhe të menjëhershme të qytetarit B. Osmani, e cila u adresua në Qendrën e Komunikimit Rajonal të Policisë, si dhe angazhimit profesional të Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, u bë i mundur lokalizimi i një personi të zhdukur, shtetas i Republikës së Shqipërisë, në fshatin Budakovë të komunës së Suharekës.

Policia ka bërë të ditur se bashkëpunimi me Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim është i vazhdueshëm dhe përfshin edhe raste të tjera të kërkimit të personave të zhdukur, duke dëshmuar koordinim profesional dhe përkushtim të përbashkët në shërbim të sigurisë publike.

Ky rast vlerësohet si shembull konkret i bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet qytetarëve, shoqatave dhe Policisë së Kosovës, si dhe si dëshmi e besimit të lartë të qytetarëve ndaj institucioneve të sigurisë.

Po ashtu, me këtë rast, drejtori rajonal ka ndarë mirënjohje edhe për dy zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Ferizaj, për përgjegjësi profesionale, guxim dhe veprime të suksesshme policore gjatë muajit janar 2026.

Policia Rajonale e Ferizajt ka shprehur falënderim për të gjithë qytetarët dhe shoqatat që bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë, duke theksuar se reagimi në kohë dhe bashkëpunimi janë faktorë kyç në parandalimin dhe zgjidhjen e rasteve, si dhe në rritjen e sigurisë së përgjithshme publike.