#Lajme

Buleshkaj: Prokurimi publik dhe rekrutimi, sektorët më të rrezikuar nga korrupsioni në Kosovë

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj, ka deklaruar se prokurimi publik dhe rekrutimi vazhdojnë të jenë ndër sektorët më të rrezikuar nga korrupsioni në Kosovë, për shkak të përfshirjes së një pjese të madhe të buxhetit shtetëror dhe vendimmarrjes së zyrtarëve publikë.

Ai ka bërë të ditur se vetëm gjatë vitit të kaluar, APK ka përcjellë mbi 150 raste në prokurori, kryesisht të lidhura me deklarimin e pasurisë, konfliktin e interesit dhe përfitimet financiare të zyrtarëve publikë. Buleshkaj theksoi se në rastet kur vërtetohet përfitim personal apo për të afërm, agjencia është e obliguar ligjërisht të dorëzojë kallëzim penal.

Sipas tij, perceptimi i korrupsionit, edhe kur luftohet, ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik, ndaj është e rëndësishme që institucionet të komunikojnë dhe edukojnë qytetarët për shkeljet dhe procedurat e raportimit. Buleshkaj njoftoi gjithashtu se APK është në fazën përfundimtare të verifikimit të deklarimeve të pasurisë për rreth 2 mijë zyrtarë, duke përfshirë edhe familjarët e tyre, dhe disa raste të dyshuara mund të dërgohen në prokurori.

Ai theksoi se, megjithë sfidat, procedurat e tenderimit nuk duhet të shihen si pengesë për investitorët e huaj, duke përmendur që Kosova ka qenë lider rajonal në përdorimin e sistemit elektronik të prokurimit.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *