#Sport

“Të fuqishmit janë frikacakë”, Guardiola me fjalim emocional në mbështetje të Palestinës

Trajneri i njohur i futbollit, Pep Guardiola, ka shprehur sërish publikisht mbështetjen e tij për popullin palestinez, duke mbajtur një fjalim emocional gjatë një koncerti bamirësie të organizuar nga Act x Palestina.

Guardiola u shfaq në skenë me një veshje tradicionale palestineze rreth qafës, duke ia dedikuar fjalët e tij veçanërisht fëmijëve palestinezë që kanë humbur prindërit si pasojë e sulmeve të ushtrisë izraelite.

“Mirëmbrëma, paqja qoftë mbi ju. Mendoj atë që mendojmë të gjithë kur shohim një fëmijë këto dy vitet e fundit në fotografi e video, duke pyetur mes rrënojave: ‘Ku është nëna ime?’, ndërkohë që ende nuk e di se çfarë ka ndodhur”, u shpreh Guardiola para publikut.

Ai shtoi se ndjen se fëmijët palestinezë janë lënë të vetëm dhe të braktisur nga bota, duke kritikuar ashpër indiferencën ndërkombëtare.

Në fjalimin e tij, Guardiola sulmoi edhe fuqitë e mëdha globale, duke i cilësuar si frikacake.
“Të fuqishmit janë frikacakë sepse dërgojnë njerëz të pafajshëm për të vrarë njerëz të pafajshëm, ndërsa vetë qëndrojnë rehat në shtëpitë e tyre me ngrohje dhe ajër të kondicionuar”, deklaroi ai.

Sipas Guardiolës, ajo që po ndodh në Palestinë është mbi të gjitha një çështje njerëzimi, fjalë që u pritën me duartrokitje të gjata nga publiku i pranishëm.

Trajneri i Manchester Cityt është i njohur për qëndrimet e tij publike politike dhe për mbështetjen ndaj palestinezëve. Në vitin 2018, ai ishte gjobitur me 20 mijë euro nga Federata Angleze e Futbollit pasi mbante një shirit të verdhë në mbështetje të liderëve katalanas pro-pavarësisë të burgosur.

Koncerti-manifest Act x Palestina u mbajt mbrëmë në Palau Sant Jordi në Barcelonë, duke shënuar ngjarjen përmbyllëse të një fushate ndërkombëtare solidariteti me Palestinën. Në të morën pjesë mbi 30 artistë nga zhanre të ndryshme, me synim mbledhjen e fondeve dhe rritjen e ndërgjegjësimit për situatën humanitare në Gaza dhe territoret e pushtuara.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *