Elezi: Sot pritet të përmbyllet rinumërimi i votave
Procesi i rinumërimit të votave nga Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare 2025 pritet të përfundojë sot, duke i dhënë fund një procedure të zgjatur disa javë.
Rinumërimi ishte mbyllur pothuajse në tërësi, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konstatoi parregullsi fillimisht në komunën e Prizrenit, ku u vërejtën dallime të theksuara në votat e kandidatëve për deputetë. Më pas, raste të ngjashme u identifikuan edhe në Drenas dhe Malishevë, çka bëri që procesi i rinumërimit të shtrihej në të gjitha komunat.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar për Telegrafin se deri në fund të ditës së enjte janë rinumëruar rreth 95 për qind e vendvotimeve.
“Që nga fillimi i procesit më 13 janar e deri më 29 janar, janë rinumëruar 2,414 nga gjithsej 2,557 vendvotime”, ka bërë të ditur Elezi.
Sipas tij, kanë mbetur edhe 143 vendvotime për t’u rinumëruar, të cilat i përkasin komunave Prishtinë, Podujevë, Suharekë dhe Shtërpcë, ndërsa procesi pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme.
Kjo shënon ditën e 18-të të rinumërimit të votave, ndërkohë që formimi i Qeverisë së re të Kosovës pritet të ndodhë gjatë muajit shkurt.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje doli fituese me 51.10 për qind të votave, duke siguruar gjithsej 57 ulëse në Kuvend.








