#Lajme

IKD: Ministria e Drejtësisë po shkel ligjin duke mos organizuar provimin e jurisprudencës

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se mosorganizimi i provimit të jurisprudencës nga Ministria e Drejtësisë përbën shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit dhe cenon të drejtat e kandidatëve.

Sipas Ligjit Nr. 08/L-033 për provimin e jurisprudencës, organizimi i këtij provimi është kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë dhe ai duhet të mbahet tri herë brenda një viti kalendarik. Megjithatë, IKD thekson se gjatë vitit 2025, Ministria ka organizuar vetëm një afat të provimit, atë të prillit, duke mos e përmbushur obligimin ligjor për tri afate vjetore.

Në këtë mënyrë, sipas IKD-së, Ministria e Drejtësisë ka dështuar të organizojë së paku dy, e potencialisht edhe tri, afate të provimit të jurisprudencës, ndonëse nuk ekzistojnë pengesa ligjore për mbajtjen e tij, pasi edhe Komisioni për provimin e jurisprudencës është funksional.

Përveç shkeljes ligjore, IKD vlerëson se kjo situatë cenon seriozisht të drejtën në karrierë të juristëve të rinj, të cilëve u pamundësohet avancimi profesional dhe krijimi i mundësive për punësim, për shkak të mosmbajtjes së provimit në afatet e parapara.

Veçanërisht të prekur janë edhe kandidatët që kanë mbetur në riprovim, të cilët kanë kaluar pjesën me shkrim të provimit, por për shkak të mosorganizimit të afateve të reja, nuk kanë mundësi ta përmbyllin procesin, duke u shkaktuar vonesa dhe pasoja të drejtpërdrejta në zhvillimin e tyre profesional.

Duke theksuar se arsyet e këtij mosveprimi mbeten të paqarta, IKD i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të veprojë urgjentisht dhe të organizojë provimin e jurisprudencës në përputhje të plotë me obligimet ligjore, duke respektuar parimin e ligjshmërisë dhe të drejtat legjitime të kandidatëve.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *