Mungesë barnash dhe lista të gjata pritjeje, pacientët të pakënaqur me shërbimet në QKUK
Mungesa e barnave, listat e gjata të pritjes dhe trajtimet jo të duhura mjekësore vazhdojnë të jenë ndër ankesat kryesore të pacientëve në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).
Besim Kodra nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve ka deklaruar për Indeksonline se mungesa e barnave mbetet problemi më i shpeshtë me të cilin përballen pacientët. Sipas tij, ankesa të shumta ka edhe për listat e pritjes, veçanërisht në shërbimet radiologjike, ndërsa shqetësimet më të mëdha lidhen me Klinikën e Kardiologjisë dhe atë të Ortopedisë.
Kodra thekson se këto barriera u shkaktojnë pacientëve kosto financiare dhe ua vështirësojnë qasjen në shërbime shëndetësore, duke i detyruar shpesh të drejtohen te sektori privat, i cili është shumë i kushtueshëm. Ai shton se në Onkologji ka ankesa të vazhdueshme për mungesë barnash, çka e rrit ndjeshëm koston e trajtimit për pacientët që detyrohen t’i blejnë ato privatisht.
Sipas tij, problem mbetet edhe menaxhimi i radhëve dhe mungesa e stafit, që bën që pacientët të presin gjatë, edhe në raste kur gjendja shëndetësore nuk ua lejon pritjen.
Po ashtu, Kodra ka bërë të ditur se ka ankesa edhe për trajtime të gabuara dhe shkelje profesionale, por sipas tij, odat e profesionistëve shëndetësorë rrallë marrin vendime meritore ndaj këtyre rasteve. Ai vlerëson se ekziston një tendencë për mbrojtjen e stafit shëndetësor, me masa ndëshkuese të ulëta, gjë që dekurajon pacientët të paraqesin ankesa dhe njëkohësisht nxit sjellje joetike e joprofesionale.








