#Botë

Tri kërkesat e Trump ndaj Iranit para paralajmërimit për sulm ushtarak

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ashpërsuar të mërkurën retorikën ndaj Iranit, duke paralajmëruar se Teherani mund të përballet me një sulm të shpejtë dhe të fuqishëm ushtarak nëse nuk pranon kërkesat e Uashingtonit.

Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur aeroplanmbajtësja amerikane Abraham Lincoln, së bashku me anije luftarake, bombardues dhe avionë luftarakë, janë pozicionuar në rajon, në distancë goditjeje nga Irani. Presidenti amerikan nuk dha detaje të plota për marrëveshjen e kërkuar, por theksoi se një “armatë masive” po lëviz drejt Iranit dhe se Teherani duhet të pranojë kushtet e SHBA-së.

Sipas zyrtarëve amerikanë dhe evropianë, të cituar nga New York Times, Uashingtoni ka paraqitur tri kërkesa kryesore gjatë bisedimeve me Iranin: ndërprerjen e përhershme të të gjitha formave të pasurimit të uraniumit dhe shkatërrimin e rezervave ekzistuese; kufizimin e rrezes dhe numrit të raketave balistike; si dhe ndalimin e mbështetjes për grupet e armatosura që veprojnë si aleatë të Iranit në Lindjen e Mesme, përfshirë Hamasin, Hezbollahun dhe Huthitët në Jemen.

Gazeta amerikane vëren se në këto kërkesa mungon çdo referencë për mbrojtjen e protestuesve në Iran, të cilët dolën në rrugë në muajin dhjetor, pavarësisht se Trump më herët kishte premtuar mbështetje për ta përmes postimeve në rrjetet sociale.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *