#Lajme

Sot mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

Në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë sot zhvillohet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.

Tre të akuzuarit përballen me akuzat për vrasjen e të ndjerës Ademaj, ndërsa më herët Murseli dhe Plava kishin pretenduar se vuanin nga çrregullime mendore. Megjithatë, Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka konstatuar se asnjëri prej tyre nuk ka pasur probleme të shëndetit mendor në kohën e kryerjes së veprës penale.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij. Granit Plava nuk u deklarua lidhur me fajësinë, ndërsa Kushtrim Kokalla tha se nuk do të japë deklaratë pa u konsultuar me mbrojtjen e tij.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për Tom Dodajn, i akuzuar për shitjen e armës me të cilën është kryer vrasja. Apeli e ka dënuar Dodajn me tre vjet burgim dhe një gjobë prej 3 mijë eurosh.