Rexhepi: Ka komunikim për formimin e qeverisë së re, pritet përfundimi i rinumërimit të votave
Deputetja Emilja Rexhepi ka konfirmuar se ka komunikim ndërmjet akterëve politikë lidhur me formimin e qeverisë së re, por ka theksuar se bisedimet konkrete për ndarjen e pozitave në ekzekutiv do të nisin vetëm pas përfundimit të procesit të rinumërimit të votave.
Ajo bëri të ditur se ka zhvilluar biseda edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kryesisht rreth rezultateve të zgjedhjeve. Rexhepi tha se pas përfundimit të rinumërimit pritet të hapen diskutimet për rolin e komuniteteve në qeverinë e re.
Duke folur për përbërjen e qeverisë së kaluar, Rexhepi vlerësoi se komunitetet joshumicë kanë pasur më shumë hapësirë dhe përfaqësim institucional sesa në të kaluarën, duke theksuar se për herë të parë kjo hapësirë nuk ka qenë e kufizuar vetëm për komunitetin serb.
Ajo shtoi se nuk flet për ambicie personale, por për përfaqësimin institucional dhe barazinë e komuniteteve joshumicë, duke nënvizuar se askush nuk mund të detyrohet apo të shantazhohet për të vepruar kundër vullnetit të tij. Rexhepi po ashtu bëri të ditur se ka votuar kundër disa nismave në Kuvend kur ato, sipas saj, nuk kanë garantuar barazi të plotë për komunitetet.








