#Botë

Turqi: Arrestohen gjashtë persona të dyshuar për spiunazh në favor të Iranit

Autoritetet turke kanë arrestuar gjashtë persona të dyshuar për spiunazh për llogari të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, në një operacion të zhvilluar në disa provinca të vendit. Arrestimet janë kryer mes rritjes së tensioneve rajonale, për shkak të shqetësimeve për një ndërhyrje të mundshme ushtarake amerikane ndaj Iranit.

Sipas mediave vendase, forcat e sigurisë realizuan bastisje të njëkohshme në pesë provinca, përfshirë Stambollin dhe Ankaranë, pas një hetimi të përbashkët nga departamenti antiterror dhe shërbimi turk i inteligjencës. Televizioni shtetëror TRT raportoi se të dyshuarit, mes tyre edhe një shtetas iranian, dyshohet se kanë kryer zbulime dhe mbikëqyrje të objekteve ushtarake dhe vendeve strategjike, përfshirë bazën ajrore të Incirlikut në Adana, ku janë të pranishme edhe forca amerikane.

Sipas TRT-së, grupi akuzohet se ka transmetuar informacione të inteligjencës dhe logjistikës te operativët iranianë, ndërsa hetuesit kanë gjetur edhe prova për monitorimin e dërgesave të dronëve përmes territorit turk drejt vendeve të tjera. Agjencia private DHA konfirmoi se një nga të ndaluarit është me origjinë iraniane. Ambasada e Iranit në Ankara ende nuk ka reaguar lidhur me rastin.

Arrestimet ndodhin në një kontekst të ndjeshëm gjeopolitik. Zyrtarë turq kanë paralajmëruar kundër çdo ndërhyrjeje të huaj ushtarake në Iran, duke theksuar se një skenar i tillë mund të shkaktojë paqëndrueshmëri dhe fluks refugjatësh në rajon.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se një “armatё masive” po lëviz drejt Iranit, duke i bërë thirrje Teheranit të nisë negociata për një marrëveshje pa armë bërthamore. SHBA-ja ka zhvendosur në rajon aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln dhe disa shkatërrues me raketa, të aftë për operacione sulmuese nga deti.