Kardiologu Gorani: Alarm për rritjen e sëmundjeve të zemrës tek të rinjtë në Kosovë
Numri i të rinjve që po preken nga sëmundjet e zemrës në Kosovë është në rritje, duke përfshirë edhe pacientë të moshës 20 deri në 30 vjeç. Kështu ka bërë të ditur kardiologu Daut Gorani në një intervistë për Ekonomia Online.
Sipas tij, muajt e fundit janë trajtuar raste shqetësuese të pacientëve shumë të rinj që janë paraqitur me sindromë akute koronare. Ai theksoi se tashmë po hasen raste edhe tek 22, 23 apo 24-vjeçarë, gjë që tregon një trend në rritje të sëmundjeve kardiake në moshë të hershme.
Gorani e lidh këtë situatë drejtpërdrejt me faktorët e rrezikut, ku ndër kryesorët janë duhanpirja, përdorimi i drogave, ushqimi i pashëndetshëm dhe stresi. Ai tha se duhanpirja është shumë e përhapur tek të rinjtë, ndërsa abuzimi me droga mund të shkaktojë dëmtime serioze të arterieve të zemrës. Po ashtu, kequshqyeshmëria, obeziteti dhe konsumimi i shpeshtë i ushqimit të shpejtë me shumë yndyrna dhe sheqerna po ndikojnë ndjeshëm në shëndetin kardiovaskular.
Sipas kardiologut, rol të rëndësishëm luajnë edhe stresi, diabeti dhe faktorët gjenetikë. Ai theksoi se jeta dinamike dhe presionet e vazhdueshme rrisin nivelin e hormoneve të stresit, duke shkaktuar çrregullime që mund të çojnë në atake kardiake. Ndërkohë, diabeti po shfaqet gjithnjë e më herët tek të rinjtë, ndërsa trashëgimia gjenetike mbetet një faktor vendimtar në shfaqjen e hershme të sëmundjeve të zemrës.
Duke folur për parandalimin, Gorani kërkoi rikthimin e masave rigoroze kundër duhanpirjes në hapësirat publike dhe më shumë edukim për stil jetese të shëndetshëm. Ai vlerësoi se dobësimi i kontrollit ndaj duhanit nëpër lokale ka ndikuar negativisht në shëndetin publik.
Në të njëjtën kohë, ai theksoi rëndësinë e ushqimit të shëndetshëm, aktivitetit fizik të rregullt dhe kontrollit të faktorëve si tensioni i gjakut, pesha trupore dhe niveli i sheqerit në gjak. Sipas tij, angazhimi në sport, fitnes dhe aktivitete të tjera fizike është thelbësor për reduktimin e rrezikut.
Në fund, Gorani apeloi për kujdes të shtuar ndaj përdorimit të drogave, duke paralajmëruar se ato shkaktojnë dëmtime serioze në organizëm, përfshirë edhe enët e gjakut dhe zemrën, me pasoja që mund të jenë fatale.








