#Sport

“Arbeloa është një nga djemtë e mi” – Mourinho përballë Real Madridit

José Mourinho do të përballet për herë të dytë me Real Madridin që nga largimi i tij nga stoli i “Los Blancos”. Këtë herë, përballë do ta ketë një nga ish-nxënësit e tij më të dashur, Álvaro Arbeloa, për të cilin portugezi nuk i kurseu vlerësimet.

Në konferencën për media para ndeshjes që do të zhvillohet nesër në “Da Luz”, trajneri i Benfikës u shpreh se Arbeloa zë një vend të veçantë për të. “Arbeloa është djali im. Nuk është thjesht një ish-lojtar. Është një nga të preferuarit e mi në aspektin njerëzor. Ndoshta nuk ishte lojtari më i mirë që kam pasur te Reali, por ishte ndër njerëzit më të mirë. Është i fundit ndaj të cilit do të ushtroja presion”, deklaroi Mourinho.

Ai gjithashtu sqaroi komentet e bëra javën e kaluar lidhur me trajnerë pa përvojë që drejtojnë klube të mëdha, duke lënë të kuptohet se nuk kishte pasur për qëllim trajnerin aktual madrilen.