Rinumërimi i votave sjell ndryshime te liderët partiakë, procesi drejt përfundimit
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve, i cili deri më tani ka përfshirë mbi 77 për qind të vendvotimeve, konkretisht 1,987 nga gjithsej 2,557.
Sipas rezultateve preliminare, rinumërimi ka sjellë ndryshime në numrin e votave për një numër të konsiderueshëm kandidatësh për deputetë, përfshirë edhe liderët e partive politike.
Të dhënat nga 77 për qind e votave të rinumëruara tregojnë se Albin Kurti, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, ka humbur rreth 400 vota. Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka 104 vota më pak, ndërsa lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka një rënie prej 170 votash.
Në anën tjetër, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, rezulton të ketë fituar 24 vota më shumë pas rinumërimit.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka deklaruar se, me ritmin aktual të punës, rinumërimi pritet të përfundojë gjatë kësaj jave. Ai theksoi se ky proces ndihmon në sqarimin e çdo dileme rreth rezultateve dhe mund të reduktojë nevojën për ankesa, por se KQZ-ja duhet të respektojë afatet ligjore për paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para certifikimit përfundimtar të rezultateve zgjedhore.








