Mastantuono flet hapur: Besimi i Arbeloas po bën diferencën te Real Madridi
Franco Mastantuono po kalon një periudhë shumë pozitive te Real Madridi. Futbollisti argjentinas ka përfituar nga ardhja e trajnerit të ri, Álvaro Arbeloa, i cili i ka dhënë më shumë besim dhe minuta në fushë, gjë që është reflektuar edhe në paraqitjet e tij të fundit ndaj Levantes dhe Monakos.
Në një intervistë për DSports, ish-lojtari i River Plate foli për largimin e vështirë nga Argjentina, ambientimin në Madrid dhe ndryshimin në stol. Mastantuono pranoi se vendimi për t’u larguar nga River ishte i dhimbshëm, por Reali ishte ëndrra e jetës së tij. “Ishte shumë e vështirë të lija shtëpinë, por Real Madridi është ëndrra e çdo futbollisti. Jam shumë i lumtur që jam këtu, edhe pse një ditë do të doja të tërhiqesha te River”, u shpreh ai.
Sa i përket trajnerëve, argjentinasi vlerësoi si Xabi Alonson, ashtu edhe Arbeloan. “Xabi dhe stafi i tij besuan tek unë që të jem këtu, por Arbeloa dhe ekipi i tij më kanë dhënë shumë besim. Kjo më ndihmon të luaj më i çliruar. Álvaro është një trajner i madh dhe po na ndihmon shumë për të arritur objektivat”, tha Mastantuono.
Ai foli edhe për ambientin në klub, duke e cilësuar presidentin Florentino Perez si “impozant”, ndërsa shprehu admirim të madh për Vinicius Junior, të cilin e mbrojti nga kritikat, duke theksuar ndikimin pozitiv që braziliani ka te skuadra dhe te lojtarët e rinj.
Për Jude Bellingham, Mastantuono u shpreh se është “më i mirë si person sesa si lojtar”, duke zbuluar një miqësi të fortë mes tyre. Po ashtu, ai theksoi marrëdhënien e shkëlqyer me Federico Valverden, duke vlerësuar mbështetjen dhe ndihmën që uruguaiani i jep brenda dhe jashtë fushës.
Në fund, argjentinasi nuk fshehu emocionet për golin e shënuar në Santiago Bernabéu: “Të shënosh me fanellën e Real Madridit në Bernabéu është adrenalinë e pastër, diçka unike dhe shumë e vështirë për t’u përshkruar”.








