#Lajme

Hetimet për manipulimin e votave: Arrestime vetëm në Prizren, komunat e tjera ende në fazë parahetimore

Rinumërimi i votave në disa komuna të Kosovës ka zbuluar dallime të mëdha mes numërimit fillestar dhe atij përfundimtar, megjithatë veprime konkrete hetimore deri më tani ka ndërmarrë vetëm Prokuroria Themelore në Prizren. Prokuroritë e tjera, ndonëse po përballen me raste të ngjashme, deklarojnë se janë ende në fazën e mbledhjes së informatave.

Prokuroria në Prizren ka intervistuar 109 persona dhe ka siguruar miratimin e katër kërkesave për paraburgim ndaj 23 komisionerëve zgjedhorë. Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për të mbledhur informata lidhur me dyshimet për manipulim të votave në komunën e Drenasit.

Sipas prokurorisë, mbledhja e informatave përbën fazën paraprake të hetimeve, me qëllim evidentimin e shkeljeve të mundshme dhe sigurimin e provave. Rinumërimi në Drenas ka përfunduar të dielën, duke nxjerrë në pah se kandidatit të PDK-së, Fadil Demaku, i ishin shtuar 222 vota gjatë numërimit fillestar. Prokuroria ka bërë të ditur se po monitoron edhe komunat e tjera të rajonit të Prishtinës për të marrë vendime të ngjashme.

Rinumërimi ka përfunduar edhe në Graçanicë, ndërsa procesi po vazhdon në Prishtinë, Podujevë, Lipjan, Fushë-Kosovë dhe Obiliq.

Edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë ka autorizuar policinë për mbledhje të informatave lidhur me manipulimet e konstatuara në Malishevë, ku rinumërimi tregoi se kandidatit të PDK-së, Gazmend Maliqaj, i ishin shtuar mbi 900 vota. Dallime të mëdha janë gjetur edhe për kandidatë të partive të tjera, përfshirë LVV-në, LDK-në, AAK-në dhe Nismën. Në Gjakovë, rinumërimi ka zbuluar dallime prej qindra votash për disa kandidatë, por prokuroria ka deklaruar se po e monitoron procesin nga jashtë.

Në Pejë, Prokuroria Themelore ka autorizuar policinë që më 19 janar për veprime hetimore dhe është në pritje të raporteve. Nga rinumërimi i 10% të kutive, rezulton se kandidatit të PDK-së, Xhavit Haliti, i janë shtuar 34 vota, ndërsa kandidatit të LVV-së, Taulant Kelmendi, 33 vota. Brenda juridiksionit të kësaj prokurorie hyn edhe Klina, ku përfituesja më e madhe nga manipulimi rezulton të jetë Ariana Musliu-Shoshi e PDK-së me 201 vota.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka autorizuar policinë për grumbullimin e informatave, pa pasur deri tani persona të intervistuar apo të ndaluar. Rinumërimi në Mitrovicën e Jugut ka arritur në 25%, ku përfituesi më i madh është kandidati i LVV-së, Agim Bahtiri, me 54 vota. Në katër komunat veriore, procesi ka përfunduar tërësisht dhe më së shumti ka përfituar kandidati i Listës Serbe, Sërgjan Milosavleviq, me 53 vota. Në Vushtrri, përfituesi më i madh është Sulejman Meholli.

Edhe Prokuroria Themelore në Gjilan ka autorizuar policinë për veprime hetimore lidhur me manipulimet e mundshme në komunat e këtij rajoni. Në Gjilan, përfituesja më e madhe është Arijeta Rexhepi e LVV-së me 40 vota, ndërsa në Viti kryeson Arsim Ademi me 145 vota, pasuar nga Vjollca Kadolli-Halili e LDK-së me 139 vota.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 28 dhjetor, ndërsa numërimi përfundoi më 3 janar. Më 13 janar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi rinumërimin pasi një mostër prej 2% e votave të verifikuara evidentoi manipulime në votat e kandidatëve.

Rritet në 20 numri i viktimave nga

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *