#Lajme

KQZ vazhdon procesin e rinumërimit, drejt përfundimit brenda janarit

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vijon rinumërimi i fletëvotimeve nga vendvotimet për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim. Procesi ka nisur më 13 janar 2026 dhe deri më 26 janar janë rinumëruar 1.729 vendvotime nga gjithsej 2.557, apo 67.62 për qind e totalit.

KQZ-ja synon që rinumërimi të përfundojë deri në fund të këtij muaji, në mënyrë që të krijohen kushtet për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, të cilat pritet të publikohen në fillim të shkurtit.

Vendimi për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në nivel vendi është marrë pasi janë konstatuar dyshime për manipulim të votave të kandidatëve. Në kuadër të hetimeve, 23 persona ndodhen në paraburgim nga 109 të ndaluarit në Prizren, pas aksionit të Prokurorisë Themelore, nën dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore.

Ndërkohë, Prokuroria e Shtetit ka kërkuar nga prokuroritë themelore në të gjithë vendin mbledhjen e informatave dhe provave për të vlerësuar nëse janë kryer vepra penale të parashikuara me Kodin Penal të Kosovës.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *