Ballkani kryeson në Evropë për ndotjen e ajrit nga grimcat, raporton The Guardian
Kur flitet për qytetet më të ndotura në botë, zakonisht përmenden metropole si Delhi apo Pekin. Por të dhënat më të fundit tregojnë se ndotja e ajrit është një problem serioz edhe në Evropë, veçanërisht në rajonin e Ballkanit, shkruan The Guardian.
Sipas Prof. André Prevost nga Instituti Paul Scherer (PSI) në Zvicër, gjatë muajve të dimrit ndotja nga grimcat në Ballkan arrin nivelet më të larta në Evropë. Në shumë raste, këto nivele tejkalojnë ato të Pekinit dhe në disa ditë renditen ndër më të lartat në botë. Ai thekson se dioksidi i squfurit gjatë dimrit mund të jetë deri në 30 herë më i lartë se mesatarja e Evropës Perëndimore.
Për të analizuar situatën në terren, studiuesit e PSI-së përdorën sensorë të avancuar të vendosur në një furgon të modifikuar, duke kryer matje të përsëritura nëpër Sarajevë. Ekipi realizoi xhiro 90-minutëshe, deri në gjashtë herë në ditë. Sipas Michael Bauer nga PSI, sfidat kryesore ishin trafiku i dendur dhe rrugët e ngushta, ndërsa në mbrëmje ajri shpesh ishte i rënduar nga mjegulla, tymi i drurit, qymyri dhe aromat e gatimeve.
Rezultatet treguan se në 66% të matjeve ndotja tejkalonte kufijtë e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndërsa në disa zona arrinte mbi tetë herë më shumë se normat. Zonat e banuara rezultuan më të prekura, kryesisht për shkak të ngrohjes me dru, qymyr dhe mbeturina, të cilat çlirojnë edhe substanca kancerogjene si hidrokarburet aromatike policiklike.
Një studim i OKB-së në vitin 2023 rekomandoi masa si përmirësimi i izolimit të banesave, zgjerimi i ngrohjes qendrore, përdorimi i pompave të nxehtësisë, inspektime më të shpeshta të kaldajave dhe rritje të ndërgjegjësimit publik. Janë identifikuar nëntë zona prioritare në Sarajevë, ku synohet ulja e përdorimit të lëndëve djegëse të ngurta deri në 90% deri në vitin 2033.
Situatën e përkeqëson edhe flota e vjetër e automjeteve. Makina mesatare në Sarajevë është rreth 19 vjeç, dhe vetëm 10% e tyre përmbushin standardet moderne evropiane të emetimeve. Për krahasim, në Mbretërinë e Bashkuar mosha mesatare e makinave në vitin 2024 ishte 10 vjeç.
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut renditet ndër vendet më të ndotura në botë. Ndërsa Evropa synon neutralitetin klimatik deri në vitin 2050, vendi vazhdon të përballet me probleme themelore, si matja e ndotjes dhe kontrolli i emetimeve industriale. Megjithëse strategjitë ekzistojnë, zbatimi i tyre mbetet i ngadaltë, sidomos në zonat industriale me teknologji të vjetruar.
Sipas vlerësimeve, rreth 3,500 persona humbin jetën çdo vit në Maqedoni për shkak të ndotjes së ajrit nga grimcat.








