Mbi 80 mijë vota të dyshuara për manipulim gjatë rinumërimit
Rinumërimi i votave të zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit ka zbuluar parregullsi të mëdha në procesin zgjedhor në Kosovë. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri tani janë rinumëruar mbi 55 për qind e votave në 2.557 vendvotime.
Të dhënat e Institutit Demokratik të Kosovës tregojnë se rreth 80 mijë vota kanë rezultuar të numëruara gabimisht. Prej tyre, mbi 47 mijë vota u janë hequr kandidatëve pasi ishin shtuar padrejtësisht, ndërsa rreth 32 mijë u janë shtuar pas rinumërimit.
Shumica e parregullsive vijnë nga Prizreni, ndërsa hetimet janë zgjeruar edhe në Ferizaj dhe Malishevë. Deri tani janë arrestuar mbi 100 persona, ndërsa gjykata ka caktuar paraburgim për disa të dyshuar, përfshirë komisionerë zgjedhorë.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka kërkuar hetim të plotë dhe ndëshkim për të gjithë të përfshirët, duke theksuar se manipulimi i votave nuk do të tolerohet.








