#Sport

Mbappé shkëlqen në Villarreal, Reali rikthehet në krye të La Ligës

Real Madridi ka regjistruar një fitore të madhe në udhëtim ndaj Villarrealit, duke triumfuar 0-2 në ndeshjen e xhiros së 21-të në La Liga dhe duke marrë sërish primatin në tabelë.

Takimi ishte i luftuar dhe i baraspeshuar, me vendasit që rrezikuan të parët përmes Buchanan, por Thibaut Courtois reagoi shkëlqyeshëm. Nga ana tjetër, Reali pati raste me Arda Güler dhe Vinícius Júnior, por pa sukses në pjesën e parë.

Zhbllokimi i rezultatit erdhi në fillim të fraksionit të dytë, kur Kylian Mbappé shfrytëzoi asistimin e Viníciusit për të kaluar madrilenët në epërsi (47’). Villarreal tentoi reagimin, sidomos me Gerard Moreno, por pa arritur të gjejë golin.

Në minutat shtesë, Mbappé fitoi një penallti dhe u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke vulosur fitoren 0-2 (90+2’).

Me këtë sukses, Real Madridi ngjitet në vendin e parë me 51 pikë, dy më shumë se Barcelona që ka një ndeshje më pak, ndërsa Villarreal renditet i katërti me 41 pikë.