#Lajme

A ka vend në paraburgim për 109 të ndaluar? Aliu: Është siguruar hapësirë e mjaftueshme

Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren, Faton Aliu, ka bërë të ditur se 109 personat e ndaluar në lidhje me dyshimet për manipulim të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit do të sistemohen pa probleme në qendrat përkatëse.

Në një konferencë për media, Aliu sqaroi se plani operativ ka nisur të zbatohet që në orët e hershme të mëngjesit, duke theksuar se Drejtoria Rajonale e Prizrenit ka ofruar mbështetje me personel, hapësira të mjaftueshme, zyra dhe automjete, për shkak të numrit të madh të personave të ndaluar – më i madhi deri më tani në këtë rajon.

Ai theksoi se të gjithë personat e proceduar në stacionet policore dhe në drejtorinë rajonale janë trajtuar në përputhje me procedurat ligjore dhe se të drejtat e tyre janë respektuar plotësisht gjatë hetimeve.

Aliu bëri të ditur se gjatë operacionit nuk ka pasur persona të lënduar, as zyrtarë policorë dhe as dëme materiale, pavarësisht lëvizjeve të shtuara të automjeteve në qytet.

Sipas tij, në bashkëpunim me Shërbimin Korrektues të Kosovës, është siguruar hapësirë e mjaftueshme për sistemimin e të gjithë të ndaluarve, të cilët do të trajtohen sipas procedurave të parapara me Kodin e Procedurës Penale.