Osmani nënshkruan Kartën e Bordit të Paqes në Davos, marrëveshja dërgohet në Kuvend për ratifikim
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar në Davos Kartën e Bordit të Paqes, duke e bërë Kosovën anëtare themeluese me të drejta të plota në këtë organizatë ndërkombëtare, përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo ka theksuar rëndësinë e rolit udhëheqës të SHBA-së në garantimin e paqes globale, duke e cilësuar këtë hap si një moment historik për Kosovën.
Osmani ka deklaruar se anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes, të udhëhequra nga aleati strategjik i Kosovës, fuqizon sovranitetin dhe pozitën ndërkombëtare të vendit. Sipas saj, marrëveshja do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën, për të marrë miratimin përfundimtar nga përfaqësuesit e popullit.
Presidentja ka falënderuar Presidentin e Shteteve të Bashkuara për ftesën dhe lidershipin e tij në këtë proces, duke ritheksuar angazhimin e Kosovës për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, si dhe duke nënvizuar se Kosova do të mbetet gjithmonë në shërbim të paqes.










