Dialogu Kosovë–Serbi, paralajmërohet takim sot në Bruksel
Një delegacion nga Serbia, i udhëhequr nga kryenegociatori Petar Petkoviq, ka mbërritur mbrëmë në Bruksel, ku sot pritet të mbahet një raund i ri i dialogut me palën kosovare, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, raportojnë mediat serbe.
Sipas këtyre raportimeve, delegacioni i Beogradit pritet të insistojë në formimin urgjent të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si dhe të ngritë çështjen e, siç e quajnë ata, “pozitës së vështirë të serbëve në Kosovë”, duke ia atribuar këtë veprimeve të njëanshme të Prishtinës.
Ndërkohë, emisari i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, javën e kaluar ka qëndruar në Kosovë dhe Serbi, por nuk ka paralajmëruar zyrtarisht një raund të ri bisedimesh.
Deri më tani, as institucionet e Kosovës nuk kanë konfirmuar pjesëmarrjen në një takim të tillë sot në Bruksel.










