Kurti takon ministrin estonez, theksohet mbështetja për integrimin euro-atlantik
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka pritur në takim dhe drekë pune Ministrin e Ekonomisë dhe Industrisë të Estonisë, Erkki Keldo.
Gjatë takimit, Kurti vlerësoi partneritetin dhe bashkëpunimin me Estoninë si vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, duke falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj integrimit euro-atlantik të Kosovës. Ai theksoi se dy vendet ndajnë realitete të ngjashme të sigurisë dhe një përkushtim të përbashkët ndaj sovranitetit, demokracisë dhe qëndrueshmërisë.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe përvoja e suksesshme e Estonisë në fushën e teknologjisë, si dhe mundësitë për shkëmbim përvojash dhe thellim të bashkëpunimit në shërbimet digjitale, inovacion, infrastrukturë dhe energji.
Në përfundim, Kurti falënderoi ministrin Erkki Keldo për takimin dhe bisedën konstruktive, duke riafirmuar gatishmërinë për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe partneritetit mes Kosovës dhe Estonisë.










