Vinicius Junior futet në top 10 asistuesit më të mirë në historinë e Ligës së Kampionëve
Real Madridi regjistroi një fitore bindëse 6–1 ndaj Monacos në “Santiago Bernabeu”, por në qendër të vëmendjes ishte Vinicius Junior, i cili shkëlqeu me një gol dhe dy asistime.
Sulmuesi brazilian, i cili u përball fillimisht me fishkëllima nga një pjesë e tifozëve, reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke e kthyer kritikën në duartrokitje falë paraqitjes së tij vendimtare dhe lojës dinamike.
Përveç kontributit të drejtpërdrejtë në fitoren e thellë të madrilenëve, Vinicius arriti edhe një sukses të rëndësishëm personal. Me dy asistimet ndaj Monacos, 23-vjeçari arriti shifrën e 30 asistimeve në Ligën e Kampionëve, duke u renditur në vendin e tetë në listën e asistuesve më të mirë të të gjitha kohërave në këtë kompeticion.
Në mesin e 10 asistuesve më të mirë në historinë e Ligës së Kampionëve kryeson Cristiano Ronaldo me 42 asistime, i ndjekur nga Angel Di Maria (41) dhe Lionel Messi (40), ndërsa në këtë listë elitare tashmë bën pjesë edhe Vinicius Junior.
Ky sukses konfirmon rritjen dhe pjekurinë e brazilianit në fanellën e Real Madridit, ndërsa me moshën dhe formën aktuale, ai ka potencialin të ngjitet edhe më lart në këtë renditje historike në vitet në vijim.










