Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vijon rinumërimi i fletëvotimeve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rihapjen e kutive në të gjithë territorin e Kosovës.
Sipas përditësimit të fundit të KQZ-së, deri më tani janë rinumëruar 832 vendvotime, që përbëjnë 32,54 për qind të totalit. Gjatë këtij procesi janë evidentuar dallime të dukshme në numrin e votave brenda pothuajse të gjitha subjekteve politike.
Parregullsitë më të theksuara fillimisht janë konstatuar në Komunën e Prizrenit, ku pas verifikimit të dy kutive u gjet një mospërputhje prej 714 votash. Si pasojë, KQZ-ja vendosi rinumërimin e të gjitha vendvotimeve të rregullta në këtë komunë. Rinumërimi në Prizren ka rezultuar me ndryshime prej gjithsej 45 mijë e 709 votash të shtuara ose të hequra kandidatëve, ndërsa devijimet më të mëdha janë vërejtur brenda PDK-së, ku kandidati Fetah Paçarizi ka dalë me mbi 6 mijë vota më pak.
Në bazë të këtyre gjetjeve, të hënën KQZ-ja vendosi zgjerimin e rinumërimit në të gjitha vendvotimet e 28 komunave, përfshirë Prishtinën, Pejën, Gjakovën, Gjilanin, Podujevën, Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut, si dhe komunat me shumicë serbe dhe ato më të vogla.
Ndërkohë, sipas një vendimi të mëhershëm të datës 13 janar 2026, ishte paraparë rinumërimi edhe në 10 komuna të tjera, përfshirë Prizrenin, Ferizajn, Vushtrrinë, Skënderajn dhe Dragashin.
Vendimi për rinumërimin e plotë erdhi pas një raporti të bazuar në mbi 500 vendvotime të rinumëruara, ku ndryshimet te votat e subjekteve politike u vlerësuan si të vogla, por u identifikuan pasaktësi serioze te votat për kandidatët për deputetë. Gjatë procesit janë evidentuar edhe raste të vjedhjes së votave në Podujevë, kësaj here brenda Lëvizjes Vetëvendosje.










