#Lajme

AUV ndalon importin e shpezëve nga Polonia

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar importin e shpezëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga Polonia, pas konfirmimit të gripit të shpezëve Avian Influenza (HPAI-H5N1). Vendimi bazohet në raportet e Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Komisionit Evropian të 11 janarit.

Sipas këtyre raporteve, sëmundja është evidentuar në ferma komerciale, familjare dhe te shpezët e egra në rajonet Lubuskie, Wielkopolskie, Kodzkie dhe Podlaskie.

Në funksion të mbrojtjes së shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore në Kosovë, AUV ka vendosur ndalimin e menjëhershëm të importit nga zonat e prekura. Përjashtim bëjnë vetëm produktet që vijnë nga ferma të paprekura nga sëmundja dhe që ndodhen të paktën 50 kilometra larg zonave të infektuara.

Masa ka hyrë në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës. AUV ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e situatës epidemiologjike dhe informimin e publikut dhe operatorëve ekonomikë për çdo ndryshim eventual.