#Lajme

Zvicra po synon zgjatjen dhe forcimin e angazhimit të saj ushtarak në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it deri në vitin 2029.

Komisioni i Politikës së Sigurisë i Këshillit të Shteteve (CPS-S) ka dhënë mbështetje për vazhdimin e mandatit të ushtarëve zviceranë në Kosovë, duke vlerësuar se prania e KFOR-it dhe e kontingjentit Swisscoy mbetet e domosdoshme për shkak të situatës së brishtë të sigurisë, veçanërisht në veri të vendit.

Sipas njoftimit të shërbimeve parlamentare zvicerane, CPS-S thekson se misioni i KFOR-it vazhdon të luajë rol kyç në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, stabilitet i cili konsiderohet edhe në interes të drejtpërdrejtë të Zvicrës. Kjo lidhet edhe me faktin se në Zvicër jetojnë rreth 500 mijë persona me origjinë nga Evropa Juglindore, përfshirë mbi 150 mijë me origjinë nga Kosova.

Në këtë kontekst, komisioni mbështet rritjen e numrit të ushtarëve zviceranë në Kosovë nga 195 në 215. Po ashtu, propozohet që Këshilli Federal të ketë kompetencë që gjatë mandatit të rrisë kontingjentin edhe me deri në 30 ushtarë shtesë, pa kufizim kohor, për t’iu përgjigjur nevojave të mundshme të KFOR-it.

Plani parasheh gjithashtu angazhimin e përkohshëm të deri në 50 ushtarëve shtesë për detyra mirëmbajtjeje, përfshirë mbështetjen teknike të helikopterëve zviceranë, si dhe deri në 20 ushtarë shtesë për garantimin e sigurisë së vetë kontingjentit zviceran në Kosovë.