#Lajme

AKB: Vendimi për pagën minimale u mor pa konsultime dhe rrezikon rritjen e informalitetit

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka vlerësuar se rritja e pagës minimale dhe përmirësimi i mirëqenies së punëtorëve janë qëllime të drejta dhe të domosdoshme për zhvillimin social dhe ekonomik të Kosovës. Megjithatë, kjo organizatë shpreh shqetësim serioz për mënyrën se si është marrë vendimi, pa dialog me sektorin privat dhe pa një analizë të plotë të ndikimit financiar.

Sipas AKB-së, mungesa e konsultimeve paraprake dhe e vlerësimit të rreziqeve po i vë në vështirësi mikro-ndërmarrjet dhe bizneset e vogla, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të ekonomisë së vendit. Kjo situatë, sipas tyre, rrit rrezikun që një numër biznesesh të mos jenë në gjendje të përballojnë kostot shtesë dhe të shtyhen drejt informalitetit, duke cenuar qëllimin e deklaruar të rritjes së pagës minimale.

AKB thekson se nuk është kundër rritjes së pagës minimale, por kërkon që vendime të tilla të merren përmes dialogut social, në bashkëpunim me përfaqësuesit e bizneseve dhe sindikatat. Po ashtu, kërkohen masa lehtësuese fiskale dhe mbështetëse, veçanërisht për bizneset e vogla, në mënyrë që vendimi të jetë i zbatueshëm dhe i qëndrueshëm.

Në reagimin e saj, AKB shpreh edhe indinjatë për mungesën e politikave të veçanta mbështetëse për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se çdo reformë sociale dhe ekonomike duhet të reflektojë drejtësi dhe ndjeshmëri ndaj kësaj kategorie.

Në fund, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, i bëri thirrje Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që të rihapë dialogun me sektorin privat dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të garantuar se rritja e pagës minimale nuk do të ketë pasoja negative për ekonominë formale.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *