Arrestohen katër persona për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ryshfet në lëshimin e lejeve për armë
Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksionin e realizuar sot, në kuadër të të cilit janë arrestuar katër persona të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje ryshfeti.
Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarit kanë qenë të përfshirë në keqpërdorime gjatë procesit të pajisjes së qytetarëve me leje për armë, duke mos respektuar procedurat ligjore të parapara.
Gjatë aksionit, Policia ka zhvilluar kontrolle në katër lokacione të ndryshme, përfshirë dy shtëpi apo banesa private, një lokal afarist dhe një zyrë. Si prova materiale janë sekuestruar përkohësisht shtatë telefona celularë, si dhe dosje dhe dokumente të ndryshme që lidhen me rastin.
Policia bën të ditur se katër të dyshuarit, tre meshkuj dhe një femër, të gjithë shtetas të Republikës së Kosovës, dyshohet se kanë marrë ryshfet nga persona të ndryshëm, duke u mundësuar atyre pajisjen me certifikatë për leje të armës pa praninë fizike të aplikuesve, në kundërshtim me ligjin dhe procedurat në fuqi.
Hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë në koordinim me organet kompetente.










