28 komuna në proces rinumërimi pas dyshimeve për manipulime me votat e kandidatëve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se procesi i rinumërimit të votave në disa komuna të Kosovës ka zbuluar pasaktësi të konsiderueshme, veçanërisht në numërimin e votave për kandidatët brenda subjekteve politike.
Sipas raportit të fundit nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), KQZ-ja, me vetëiniciativë, ka verifikuar rezultatet zgjedhore dhe më 13 janar ka vendosur rinumërimin e fletëvotimeve në gjithsej 914 vendvotime. Në 10 komuna po rinumërohen të gjitha vendvotimet, ndërsa në 28 komuna të tjera po rinumërohet 10 për qind e tyre. Procesi është ende në zhvillim.
Raporti i deritanishëm, i cili përfshin më shumë se gjysmën e vendvotimeve të rinumëruara, tregon se ndryshimet në votat e subjekteve politike janë minimale dhe pothuajse të papërfillshme, duke konfirmuar saktësinë e rezultateve për partitë politike.
Megjithatë, situata paraqitet ndryshe sa i përket votave të kandidatëve. Pas rinumërimit në QNR, janë zbritur gjithsej 36,007 vota nga rezultatet e kandidatëve të regjistruara më herët në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), ndërsa janë shtuar 20,978 vota që më parë nuk ishin evidentuar saktë. Kjo, sipas KQZ-së, dëshmon për pasaktësi serioze në procesin e numërimit të votave të kandidatëve.
Komuna e Prizrenit është identifikuar si rasti më ekstrem. Atje, pas rinumërimit, janë zbritur 29,343 vota për kandidatë dhe janë shtuar 16,366 vota të paregjistruara saktë nga QKN e kësaj komune. Në komunat e tjera, ndryshimet janë më të vogla dhe lidhen kryesisht me gabime teknike ose rivlerësim të fletëvotimeve të pavlefshme, ndonëse në disa vendvotime janë vërejtur dallime më të theksuara për kandidatë të caktuar.
Në bazë të këtyre gjetjeve, Këshilli për Operacione Zgjedhore ka dalë me dy rekomandime kryesore: rinumërimin e të gjitha vendvotimeve edhe në 28 komunat ku aktualisht po rinumërohet vetëm 10 për qind, si dhe ndërprerjen e mandatit të përfaqësuesve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Komunën e Prizrenit.
KQZ-ja ka theksuar se të gjitha gjetjet nga procesi i rinumërimit do t’i adresohen Prokurorisë së Shtetit, duke ofruar bashkëpunim të plotë institucional për hetime të mëtejme. Njëkohësisht, KQZ riafirmon përkushtimin e saj për transparencë, mbrojtje të integritetit zgjedhor dhe ruajtje të besimit të publikut, ndërsa rezultatet e çdo vendvotimi të rinumëruar janë publikuar në platformën zyrtare të rezultateve.










