61 vatra zjarri në Kosovë brenda 12 orëve – 9 ende aktive
Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar se në 12 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar 61 vatra zjarri, prej të cilave 9 mbeten ende aktive, ndërsa 52 janë lokalizuar falë ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe strukturave mbështetëse.
Menaxhimi i situatës po bëhet në bashkëpunim me Zjarrfikësit, Qendrat Operative 112 dhe Policinë e Kosovës, ndërsa të gjitha vatrat aktive janë nën monitorim të vazhdueshëm. AME ka theksuar se gjendja është e menaxhueshme dhe ka falënderuar të gjitha institucionet e përfshira, përfshirë KFOR-in, komunat dhe qytetarët.
Zjarret kanë përfshirë edhe vende të tjera të rajonit, si Shqipëria dhe Mali i Zi. Në Shqipëri, flakët kanë rrezikuar banesa, zona pyjore e të mbrojtura, ndërsa një i moshuar ka humbur jetën në fshatin e Gramshit, qarku Elbasan.










