59 aksidente trafiku brenda 24 orëve, 19 të lënduar
Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit vazhdon të mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve të shumta që po regjistrohen çdo ditë në vend. Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor për 24 orët e fundit, i cili përfshin të dhëna mbi aksidentet në trafik, gjobat dhe arrestimet.
Sipas këtij raporti, gjatë kësaj periudhe nuk është shënuar asnjë aksident me pasoja fatale. Megjithatë, 19 persona kanë mbetur të lënduar në aksidente të ndryshme trafiku, ndërsa 40 aksidente të tjera kanë rezultuar vetëm me dëme materiale.
Në kuadër të masave për rritjen e sigurisë rrugore, Policia ka shqiptuar gjithsej 1,234 gjoba ndaj shkelësve të rregullave të komunikacionit.
Po ashtu, gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar 29 persona, prej të cilëve 8 janë dërguar në mbajtje, ndërsa 3 janë dërguar në vuajtje të dënimit.











