#Kronika e zezë

55-vjeçari H.O. humb jetën në aksidentin e rëndë në Mitrovicën e Jugut, katër persona të tjerë lëndohen

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:42 në rrugën “Liqeni” në Mitrovicën e Jugut, ku një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Viktimë e aksidentit është 55-vjeçari H.O., ndërsa në ngjarje janë përfshirë dy vetura civile, një VW Passat me ngjyrë të zezë dhe një VW Golf Plus.

Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se përplasja ndodhi për shkak të shpejtësisë së lartë dhe vozitjes së rrezikshme të shoferit të Passatit, B.M., 21-vjeçar, si dhe një manovre të pasigurt nga drejtuesi i Golfit.

Nga aksidenti kanë pësuar lëndime trupore edhe vozitësi i Passatit dhe pasagjeri i tij, si dhe dy persona që ndodheshin në veturën tjetër. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa shoferi i Passatit është ndaluar për 48 orë.

Rasti po hetohet nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Mitrovicë.