500 euro gjobë dhe ndalim i patentës për shoferin që voziste me drita rotative në Prishtinë
Policia e Kosovës ka ndëshkuar një shofer në Prishtinë, i cili është hasur duke qarkulluar me automjet të pajisur me drita rotative, në kundërshtim me ligjin.
Sipas njoftimit të Policisë, më 7 janar 2026, Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ka ndërmarrë veprime policore ndaj drejtuesit të automjetit, pasi gjatë kontrollit është konstatuar se pajisjet ndriçuese të vendosura në veturë nuk ishin të lejuara për përdorim.
Për shkeljen e rregullave të trafikut rrugor, shoferit i është shqiptuar gjobë në vlerë prej 500 eurosh, si dhe masa mbrojtëse e ndalimit të patentë-shoferit për një periudhë prej tre muajsh.
Policia e Kosovës ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë ligjet në fuqi dhe të mos përdorin pajisje të paautorizuara, pasi veprime të tilla rrezikojnë sigurinë rrugore dhe rendin publik.












