48 pjesëtarë të rinj certifikohen në Njësinë Speciale Operative
Sot, më 4 shtator 2025, në kampin e Njësive Speciale në Vrellë, u zhvillua ceremonia solemne e certifikimit të 48 pjesëtarëve të rinj të Njësisë Speciale Operative (NJSO), të cilët kanë përfunduar me sukses trajnimin bazik për operatorë të kësaj njësie elitare të Policisë së Kosovës.
Në këtë ceremoni morën pjesë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, drejtori i Departamentit të Njësive Speciale, kolonel Shabani, eprorë të Policisë së Kosovës, instruktorë, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, KFOR-i amerikan si dhe zyrtarë të institucioneve shtetërore.

Përveç certifikimit të pjesëtarëve të rinj, u certifikuan edhe pesë instruktorë të trajnimit themelor për NJSO, ndërsa u ndanë mirënjohje për instruktorët për punën dhe përkushtimin e treguar gjatë procesit të përgatitjes së kësaj gjenerate.
Pjesëtarët e rinj, të trajnuar nga instruktorë me përvojë, janë tashmë të gatshëm të përballen me sfidat policore në mbrojtje të rendit, ligjit dhe sigurisë, në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës.













