#Lajme

27-vjetori i Masakrës së Reçakut, organizohen aktivitete përkujtimore

Sot dhe nesër shënohet 27-vjetori i Masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më tragjike të historisë së fundit të Kosovës, me aktivitete të ndryshme përkujtimore.

Në kuadër të “Ditëve të Reçakut”, institucionet vendore dhe qendrore, së bashku me shoqatat e dala nga lufta, organizojnë ngjarje në nderim të viktimave, me qëllim ruajtjen e së vërtetës historike dhe transmetimin e saj te brezat e rinj.

Sot, në shkollat e Komunës së Shtimes mbahet ora e parë mësimore kushtuar Masakrës së Reçakut, ndërsa në ora 10:00 në Bibliotekën e Qytetit zhvillohet tryeza shkencore “Mohimet serbe të krimeve dhe gjenocidit – destabilizim për Ballkanin”, organizuar nga Forumi i Intelektualëve të Shtimes.

Të enjten, aktivitetet përkujtimore zhvillohen në të gjitha shkollat e Kosovës, ndërsa programi përfshin homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime, Mollopolc dhe Reçak, homazhe nga krerët e shtetit në Kompleksin Memorial në Reçak, Akademi përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, hapjen e ekspozitës “Çmimi William Walker 2026” dhe finalen e Turneut Memorial “Ditët e Reçakut” në futboll të vogël në fushën sportive “Arbëri”.

Aktivitetet mbahen nën patronatin e presidentes Vjosa Osmani, kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kryetarit të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, si dhe shoqatave të dala nga lufta.