26 punëtorë humbin jetën në vendin e punës për vetëm 10 muaj – fajësohen punëdhënësit, Inspektorati i Punës dhe gjykatat
Gjatë periudhës janar–tetor 2025, 26 persona kanë humbur jetën në vendin e punës në Kosovë. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, e ka quajtur situatën alarmante, duke thënë se 95% e rasteve ndodhin për shkak të neglizhencës së punëdhënësve dhe mosrespektimit të standardeve të sigurisë.
Azemi ka kritikuar edhe Inspektoratin e Punës dhe gjykatat për mungesë reagimi dhe zvarritje të rasteve.
“Ka raste ku punëtorët kanë vdekur para 6-7 vitesh dhe ende s’ka vendime gjyqësore. Kjo është padrejtësi e dyfishtë,” tha ai.
Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Inspektoratit, Rizah Plakolli, tha se është duke u hartuar një plan veprimi për parandalimin e fataliteteve, përfshirë inspektime digjitale dhe nga ajri. Ai shtoi se janë zhvilluar 131 inspektime dhe janë shqiptuar gjoba ndaj disa bizneseve.
Por Azemi e kundërshtoi këtë, duke thënë se nuk është mbyllur asnjë biznes për shkelje të sigurisë dhe se gjobat ndaj kompanive janë minimale.
“Në disa raste, për vdekje punëtorësh janë vendosur gjoba vetëm prej 50 deri në 500 euro,” theksoi ai.
Sipas tij, mosveprimi institucional dhe kushtet e rënda të punës kanë bërë që rreth 300 mijë punëtorë të largohen nga Kosova në vitet e fundit.











