#Lajme

19-vjeçari kapet me substanca narkotike në Suharekë, i gjenden 17 qese marihuanë

Njësia për Hetimin e Narkotikëve në Prizren ka zhvilluar një aksion në Suharekë, ku është arrestuar një 19-vjeçar nën dyshimin se merrej me shpërndarje të substancave narkotike.

Ngjarja ka ndodhur më 3 tetor 2025, rreth orës 19:10, në fshatin Shirokë të Suharekës. Gjatë kontrollit të trupit të të dyshuarit, policia ka gjetur dhe sekuestruar 17 qese plastike me substancë të dyshuar marihuanë me peshë 41.35 gram, si dhe një telefon të tipit iPhone 11 Pro Max.

Pas arrestimit, i riu është shoqëruar në Stacionin Policor të Suharekës së bashku me dëshmitarët, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Krimeve të Rënda në Prizren është kryer kontroll edhe në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të tij në rrugën “Skënderbeu” në Suharekë, ku nuk është gjetur asgjë e dyshuar shtesë.

Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka urdhëruar ndalimin për 48 orë të të dyshuarit, nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave psikotrope dhe analoge”.

Hetimet për rastin janë duke u zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia në Prizren.