13 vjet nga nisja e dialogut Kosovë–Serbi në Bruksel
Sot bëhen 13 vjet nga takimi i parë mes kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, i zhvilluar më 19 tetor 2012 në Bruksel.
Takimi u mbajt me ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton, atëkohë përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, dhe shënoi fillimin e dialogut politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, nën lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës asokohe, takimi u vlerësua si një kapitull i ri në raportet ndërmjet dy shteteve, me qëllim avancimin e procesit të integrimit evropian dhe forcimin e paqes e stabilitetit në rajon.
Në atë kohë, Thaçi theksoi se ky proces do të ndihmojë në përshpejtimin e integrimit të të dy vendeve në BE dhe do të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin në Ballkan.











