11 komuna të Kosovës ende pa buxhet për vitin fiskal, rrezikohet funksionimi dhe projektet
Procesi i miratimit të buxheteve komunale për vitin fiskal nuk është përfunduar ende në 11 komuna të Kosovës, duke rrezikuar funksionimin normal dhe zbatimin e projekteve të reja.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur se komunat Viti, Lipjan, Vushtrri, Malishevë, Shtime, Junik, Zubin Potok, Gjilan, Prizren, Prishtinë dhe Suharekë janë ende pa buxhet të miratuar. Kjo situatë lidhet me rrethanat politike dhe procesin zgjedhor komunal, pasi më 9 nëntor mbahet balotazhi në disa komuna, që ka ndikuar në funksionimin e kuvendeve komunale dhe procedurën e miratimit të buxheteve.
Ibrahimi paralajmëron se nëse buxhetet nuk miratohen para miratimit të buxhetit të shtetit nga Kuvendi i Kosovës, komunat do të mbesin me financim të përkohshëm në nivelin 1/12 të buxhetit të vitit paraprak, çka kufizon ndjeshëm funksionimin e tyre.
Për këtë arsye, Asociacioni i Komunave ka kërkuar nga Ministria e Financave shtyrjen e afatit për miratimin e buxheteve, në mënyrë që procesi të zhvillohet pas konstituimit të organeve të reja komunale dhe të reflektojë prioritetet e kryetarëve të sapozgjedhur.
Sipas Ibrahimit, vonesat në miratimin e buxheteve ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve, duke kufizuar shërbimet publike në nivel bazik dhe duke penguar nisjen e projekteve kapitale si ndërtimi i rrugëve, shkollave, çerdheve, ujësjellësve dhe kanalizimeve. Kjo situatë mund të dëmtojë edhe ekonominë lokale për shkak të pasigurisë së kontraktorëve dhe bizneseve që bashkëpunojnë me komunat.
Nga ana tjetër, disa kryetarë komunash nuk e konsiderojnë vonesën si problem, duke thënë se miratimi i buxheteve do të ndodhë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore dhe konstituimit të asamblesë së re komunale.











